Itali, ngadalësohet ritmi i përhapjes së epidemisë nga koronavirusi

3 Mars 2020, 14:47 | Përditesimi i fundit: 2020-03-03 18:04:15

Në Itali në 24 orët e fundit numri i të infektuarve të rinj krahasuar me një ditë më parë është zvogëluar dhe është rritur numri i të shëruarve. Në vetëm një ditë ka patur 66 pacientë që kanë rezultuar negativ nga testet e koronavirusit për një total prej më shumë se 160 personash të shëruar, kurse numri i viktimave që nga fillimi i epidemisë është 52.

Ndërsa ritmi i rritjes progresive të të infektuarve është ulur krahasuar me një ditë më parë, për virologët është ende herët për ti kënduar fitores pasi të dhënat janë luhatëse dhe akoma nuk ka një trend të qartë pasi shqetësues mbetet numri i të sëmurëve në reanimacion.

Sipas autoriteteve të shëndetit në Itali, vetëm pas një jave mund të ketë një kurbë më të qartë në grafikun e epidemisë pasi vala e infeksioneve nisi më 21 shkurt në Codogno dhe Vo dhe koha e inkubacionit është mesatarisht 14 ditë dhe rrjedhimisht infeksionet mund të mos jenë shfaqur ende të gjitha.

Ndërkohë qeveria e kryeministrit Conte ka përgatitur një terapi intensive ekonomike. Në dekretin e ri që do të vijë së shpejti parshikohet ulje taksash dhe rritje e kredive për një total prej 3.6 miliardë euro. Masat do të shtrihen në të gjithë vendin dhe do të stimulojnë sektorët më të prekur: turizmin, logjistikën dhe transportin.