Italia jashtë nga Bashkimi Europian, ëndrra e përsëritur e Trump: Negociojmë bashkë

1 Nëntor 2019, 14:46

Presidenti amerikan, në një intervistë radiofonike me liderin e partisë Brexit, Nigel Farage, tha se SHBA janë gati të negociojnë me Italinë një marrëveshje të gjerë tregëtare duke propozuar Italisë daljen nga BE dhe nga zona euro, në stilin e Brexit.

‘Italia do të ishte shumë më mirë jo vetëm jashtë euros, por edhe jashtë nga BE’, - tha Trump.

Ju jeni të bllokuar brenda BE - tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke komentuar krizën britanike - Italia dhe shumë vende të tjera do të ishin shumë më mirë pa Bashkimin Europian. Nëse këto vende duan të qëndrojnë në BE, është punë e tyre, por dijeni se në Europë është e vështirë të negociosh me liderët e Brukselit, ndërsa me mua gjithçka do të ishte më e lehtë”.

Komenti i Trump ka mundësi të rikthejë debatin për të ardhmen e Italisë në Europë, debat që mund të zhvillohet edhe brenda qeverisë Conte, të cilin presidenti amerikan e ka mbështetur publikisht.

Trump gjithashtu parashikoi që së shpejti shumë vende të tjera do të ndiqnin shembullin e Britanisë së Madhe, duke përmendur Italinë dhe Francën.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk i ka fshehur asnjëherë kritikat e tij për Brukselin, të cilin ai e konsideron një antagonist të Uashingtonit, dhe mbase ai e sheh Romën një kryeqytet që mund ta ndihmonte Trump të dobësonte ose të shpërbënte Bashkimin Europian.