Konferenca e sotme e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Partisë Demokratike. Në një konferencë tjetër nga selia blu, eksperti për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka thënë se krimet për të cilat akuzohet Tahiri nuk janë kryer në Itali, por në Shqipëri.
PD ka akuzuar sot Tahirin se ka kërcënuar gjyqtarët dhe prokurorët për hetimin e kësaj çështjeje.
Deklarata e plotë
Saimir Tahiri, njësoj si Edi Rama paracaktoi sot vendimin e prokurorisë për të mbyllur dosjen e përfshirjes së tij në trafik droge.
Partia Demokratike e paralajmëroi dy ditë më parë se Saimir Tahiri do të shiste një vendim të autoriteteve italiane si çlirim nga akuzat në Shqipëri.
Shqiptarët duhet ta dinë se Saimir Tahiri është hetuar nga autoritetet italiane vetëm për veprimtari kriminale në territorin italian.
Dokumenti që ai valëvit për pafajësinë e tij, është i pavlerë për veprimtarinë e tij kriminale në Shqipëri.