Italianët do të rehabilitojnë hekurudhën Tiranë- Durrës! BERZH shpall fituese kompaninë INC S.P.A me ofertë 69.7 mln €

28 Tetor 2020, 14:36

Kompania italiane INC S.P.A pas një gare një vjeçare fitoi tenderin për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës. Në fazën finale pjesëmarrëse ishin tre kompani një kineze, indiane dhe italiane. Fituesit ofruan 69.7 mln euro, kurse  kompanitë e tjera mbi 92 milionë euro.

I gjithë projekti kushton 92.1 milionë euro, nga të cilat 36.8 milionë euro janë të akorduara në formën e një huaje sovrane nga BERZH e parashikuar për rehabilitimin e 34.1 kilometra linjë hekurudhore midis Terminali i Transportit në Tiranë dhe qytetit të Durrësit si dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore me gjatësi afërsisht 5 km që lidh linjën Tiranë-Durrës me Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza.

35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor dhe ajo që mbetet do të financohet nga shteti shqiptar. Tenderi ndërkombëtar u hap në 31 tetor 2019, dhe lidhja e kontratës u shty për shkak të pandemisë.

Detajet teknike të kontratës ende nuk dihen por përflitet  që bileta vajtje-ardhje për qytetar mund të kushtojë 3 deri në 4 euro. Rehabilitimi pritet të përfundojë në vitin 2023, pasi kohëzgjatja e kontratës nga dita e firmosje është 30 muaj.