Ja dosja penale e ‘heroit’ të Metës nga Afrika, bëri leje qëndrimi në fotokopje me vula e firma false

25 Tetor 2020, 13:53

TIRANË- Skandali i Presidentit Ilir Meta me dhënien e 419 nënshtetësive shqiptare në shkelje flagrante të ligjit, procedurave dhe protokolleve të sigurisë, po merr përmasa të paparashikueshme. Pjesë e abuzimit flagrant trevjeçar me dhënien e nënshtetësive është edhe rasti i futbollistit afrikan Winnful Essua Joseph Cobbina, i cili ndërkohë që priste dënimin nga gjykata shqiptare si falsifikator i lejes së qëndrimit, është pajisur me nënshtetësi shqiptare nga Ilir Meta, me një procedurë të paprecedentë që ka zgjatur vetëm 8 orë dhe në emër të interesit kombëtar.

Referuar dosjes penale me numër 5165 qe Shqiptarja.com ka siguruar, futbollisti nga Gana është kapur nga policia në 6 qershor 2019 me dokumente të falsifikuara. Ai po niset me avioni nga Shqipëria drejt Turqisë. Gjatë kontrollit, policia kufitare në Rinas ka konstatuar se viza njëvjeçare e tij kishte skaduar që me 15 janar 2019, ndërsa i kërkoi nëse kishte një leje qëndrimi.

Cobbina i paraqiti një leje qëndrimi me numër 138564, lëshuar nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, në 15 dhjetor 2018 dhe vlefshme deri 15 shkurt 2019. Por në lejen qëndrimit në emrin e tij , që edhe ajo kishte skaduar, ishte shënuar një numër pasaporte, i cili nuk i përkiste Cobbina, por një personi të tjetër, konkretisht Junior Yunus Sentamu, të cilit i ishte refuzuar leja e qëndrimit në Shqipëri për mungesë dokumentacioni. Policia e ka bllokuar lejen e qëndrimit si të falsifikuar, pasi i përkiste dikujt tjetër, por që kishte foton e ganezit.

Po nga e siguroi këtë leje false Cobbina? Kur prokuroria e ka marrë në pyetje si person nën hetim, ganezi ka pohuar se lejen e qëndrimit ia ka dhënë dikush që ndiqte ndeshjet e Tiranës nga stadiumi, por që ai nuk njihte se kush ishte ky person. Gjatë kësaj kohe Cobbina ishte futbollist i Klubit Tirana.