Ja kush është polaku dhe kosovari që sollën në Shqipëri 2.1 milion euro! E kaluara e tyre në Zvicër

10 Qershor 2020, 19:43

Zbardhen fotot e dy personave, një kosovari dhe një shtetasi polak, që transferuan në Shqipëri një shumë prej 2.1 milion euro. Personat që shihni në foto, janë pikërisht kosovari Hasan Lushi dhe polaku Ryszard Artur Szylak. Pikërisht këta dy persona tashmë janë vënë në ndjekje nga prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur një procedim penal për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.Kërkesa për sekuestrimin e pasurive të tyre ka mbërritur me letërporosi nga Zvicra, dhe më pas është zbatuar në Shqipëri nga prokurori Ardian Braho. Pritet që pas sekuestrimit të pasurive në emër të dy personave të mësipërm, të njoftohen me një letërporosi të dytë autoritet e drejtësisë zvicerane. Lushi dhe polaku Szylak blenë në Shqipëri dy kompani elektronike dhe baste e kazino, por më pas i pezulluan aktivitetin tregtar Sipas prokurorisë së Tiranës. Kosovari Hasan Lushi është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Lushi është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datën 26 nëntor 2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”, “Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme. Ndërsa shtetasi polak Ryszard Artur Szylak është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.