Ja ministrat e shkarkuar që do të vendosen në krye të komisioneve parlamentare

20 Janar 2019, 13:06

Ndryshimet e fundit në qeveri kanë lënë 5 vende bosh në drejtimin e komisioneve parlamentare. Burimet i thanë Report TV se për një pjesë të këtyre vendeve do të “rehabilitojnë” një pjesë të ministrave të shkarkuar. 

Qysh kur Erjon Brace u zgjodh zëvendëskryeministër, karrigia e tij si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ngeli bosh. PS pritet të propozojë për këtë pozicion ish-ministrin Arben Ahmetaj. 

Bërja e Bledar Çuçit ministër bujqësie ka prodhuar dy vakanca: një në bashkëkryesimin e reformës zgjedhore dhe një si nënkryetar i Komisionit të Integrimit. Për këtë të fundit, PS nuk ka marrë ende një vendim dhe pse emrat më të përfolur për të qenë nënkryetarë të këtij komisioni janë ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati ose deputeti Ervin Bushati. 

Ndërkohë, si bashkëkryetare të Reformës Zgjedhore PS pritet të propozojë Blerina Gjylametin. 

Ministri i ri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes do të zëvendësohet nga Niko Peleshi. Ish ministri i bujqësisë do të propozohet si kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. 

Ministrja e re e Marrëdhënies me Parlamentin Elisa Spiropali ka lënë bosh karrigen e nënkryetares së Komisionit të Shëndetësisë. PS pritet të propozojë në këtë pozicion deputeten e Durrësit, Klodiana Spahiu.