Ja momenti kur grupi i zjarrit sulmoi me kallashë në Vlorë Inez Hajrullën dhe 6 shokët e tij në lokal

15 Dhjetor 2019, 17:52

TIRANË - Shqiptarja.com siguron fotot ekskluzive ku tregohet momenti i sulmit me dy kallashnikovë, në 10 maj 2019 ndaj Inez Hajrullës dhe gjashtë shokëve të tij, që ishin duke pirë kafe në një nga lokalet në kompleksin “Oslo” në Lungomare të Vlorës.

Makina tip “Land Rover” e vjedhur në Vlorë nga autorët e sulmit, afrohet pranë lokalit “A&B Mazana” dhe prej derës së parë, duket qartë që del një person i veshur totalisht me të zeza dhe me maskë, dhe nis të qëllojë me automatik në drejtim të grupit të djemve që ndodheshin nën shoqërinë e Inez Hajrullës.

Për prokurorinë dhe policinë e Vlorës, tashmë nuk ka asnjë dyshim që grupi i zjarrit në këtë sulm kanë qenë tre personat Fatmir Hyseni ose Elidon Musaj, që njihet ndryshe me nofkën “Doqia”,Gentian Dauti (Zoto) dhe Igli Memaj “Sulitoti”.

Hyseni momentalisht është shpallur në kërkim për këtë ngjarje, por edhe për vrasjen në Tiranë të ish-efektivit të policisë, Santiago Malko. Ndërkohë dy bashkëpunëtorët e tjerë Igli Memaj dhe Gentian Dauti janë arrestuar në Itali dhe pritet që shumë shpejt të ekstradohen në Shqipëri.

Fotot e siguruara nga pamjet e kamerave të sigurisë, tregojnë qartë momentin e sulmit, ku një person ka dalë nga mjeti “Range Rover”, tjetri ka ulur xhamin e derës prapa dhe ka qëlluar prej andej, ndërsa personi i tretë qëndron në timon.

Fotografitë e shkëputura nga filmimi i një kamere të një biznesi në vendndgjarje, tregojnë se pas breshërive të para, një person ende i paidentifikuar është shtrirë në tokë, dhe fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë dëmtim.