Besa Nikëhasani është prokurorja e parë, e cila po i nënshtrohet procesit të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancën dëgjimore me zonjën Nikëhasani, prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër. Komisioni konstatoi se zonja prokurore nuk justifikonte pasurinë, duke paralajmëruar kësisoj mundësinë e përjashtimit të saj nga gjyqësori. Shqiptarja.com zbardh ekskluzivisht pasurinë e prokurores që nga viti 2004 deri në vitin 2016. Duke iu referuar deklaratave vjetore të pasurisë, prokurorja e Shkodrës deklaron shtëpi banimi me sipërfaqe 90 m2, me vlerë 37 milionë lekë, në vitin 2004 dhe makinë benz, e vitit ’95, në emër të bashkëshortit, me vlerë 700 000 lekë. Në vitin 2008, zonja deklaron se ka shitur 3 mijë m2 tokë, me vlerë 750 000 lekë, nga toka në emër të vjehrrës, përfituar nga ligji 7501.
Ndërkaq, po gjatë vitit 2008, bashkëshorti i saj, nga punonjës në një komunë, fillon punë si hetues doganor, duke deklaruar 925 000 lekë të ardhura vjetore nga paga. Një vit më vonë, bashkëshorti i zonjës Nikëhasani emërohet shef i sektorit anti-drogë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, duke deklaruar 1 200 000 lekë të ardhura vjetore. Gjatë vitit 2009, çifti i bashkëshortëve deklaron porositjen e një tjetër apartamenti me sipërfaqe 144 m2, me vlerë 90 mijë euro.