Ja raporti sekret i DSIK / Dritan Gina i korruptuar, Rovena Gashi e papërshtatshme

5 Prill 2019, 11:55

Ish-drejtuesja e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, është një individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale, ndërsa bashkëshorti i saj prokuror, Dritan Gina është implikuar në veprimtari korruptive. Ky është konstatimi i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, përmes një raporti të siguruar nga Shqiptarja.com. DSIK, për llogari të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka hartuar dy raporte mbi pastërtinë e figurës së Rovena Gashit, e shkarkuar nga detyra në 27 korrik 2018, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.

Në raportin e parë, DSIK e shpallte zonjën Gashi të përshtatshme për të vijuar detyrën. Ndërsa në raportin e dytë, që mban datën 23 prill 2018, DSIK thotë se Gashi është e papërshtatshme për të vijuar detyrën. Shkak për ndryshimin e konstatimit mbi pastërtinë e figurës së zonjës Gashi janë bërë të dhënat për bashkëshortin e saj, Dritan Gina, i cili ushtron detyrën e prokurorit. “...Pas verifikimeve të kryera për znj. Rovena Gashi, rezulton se, nuk disponohen të dhëna. ...

Ndërsa për bashkëshortin e Rovena Gashit, shtetasin Dritan Gina, me detyrë (në atë kohë) drejtues pranë PRGJ Elbasan (gjithashtu subjekt rivlerësimi), disponohen të dhëna për përfshirje në veprime të kundërligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv të prokurorit...”, thuhet në raportin e DSIK. Sipas Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, veprimtaria e Dritan Ginës afekton edhe zonjën Gashi. “Në këndvështrimin e përgjithshëm të kontrollit apo pastërtisë së figurës së një funksionari publik, në rastin tonë, për subjektin e rivlerësimit Rovena Nuredin Gashi dhe bashkëshortin e saj Dritan Gina në cilësinë ‘person i lidhur’, të dhënat që disponohen dhe çdo dyshim i arsyeshëm për kryerje ose moskryerje të veprimeve, në kundërshtim me ligjin, në mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe kur këto veprime apo mosveprime sjellin përfitime materiale ose jomateriale të padrejta për vete si funksionar publik apo persona të tjerë të lidhur me të, duke dëmtuar interesin e ligjshëm të shtetit apo të personave të tjerë, cenojnë figurën e tij, integritetin, shkallën e besueshmërisë dhe e bëjnë subjektin e rivlerësimit znj. Rovena Gashi një individ të mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale, sipas përcaktimit të germës ‘c’, të nenit 37 të ligjit 84/2016”, thuhet në raport.