JA SI BERISHA I HAP SERBIT LAZAREVIÇ, KLIENTIT TË ARGITËS, TREGUN E ENERGJISË ELEKTRIKE: FITON MBI 120 MILIONË EURO VETËM NË 2 VITE

30 Mars 2021, 14:04

Akuzat dhe dyshimet që rëndojnë mbi Vojin Lazareviçin ama nuk skandalizojnë Sali Berishën dhe as vajzën e tij. E përjavshmja kroate “Nacional” thotë edhe se është bërë një takim sekret në Moskë në 2007 mes Sali Berishës dhe Vojin Lazareviçit, me të ngjarë i negociuar nga Damir Fazlliç, pikërisht për të bërë një marrëveshje mbi furnizimin me energji elektrike nga ana e Rudnapit serb. Janë të njëjtët muaj kur paratë e Lazareviçit fillojnë të vijnë në Shqipëri përmes shoqërive të tij off-shore për të ushqyer investimet në të cilat merr pjesë dhe përfiton drejtpërdrejtë ose indirekt Argita Berisha dhe bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi. Nuk ka provë që takimi me Berishën të jetë bërë me të vërtetë, por është e provuar se pikërisht në 2007 Rudnap Serbia e Vojin Lazareviçit fillon të fitojë tendera në Shqipëri me KESH për furnizimin me energji elektrike.    

Sipas një raporti të dorëzuar në parlamentin shqiptar nga ish-drejtori i KESH Gjergj Bojaxhiu, Rudnap Serbia, papritur zëvendëson në tregun shqiptar shumë furnizues ndërkombëtarë  dhe lokalë që kishin punuar me qeverinë deri në vitin 2006 dhe fiton pjesët më të mëdha të tenderave. Sipas portalit Energja.al që ka publikuar të dhënat, mes shkurtit dhe dhjetorit 2007 Rudnap Serbia fiton tendera me KESH për një vlerë 33 milionë dhe 800.000 euro dhe deri në fund të 2008 vlera e shitjeve rritet deri në 106 milionë euro. Nga 2012 fillon ti shesë drejtpërdrejtë KESH-it edhe Rudnap Albania dhe sipas bilanceve të saj vetëm në atë vit ka arkëtuar 12 milionë euro të tjera, që i shtohen garave të fituara nga RUDNAP Serbia drejtpërdrejtë. Falë Berishës, nga 2007 deri në 2013, tregu i energjisë elektrike shqiptare përfundon gati i gjithi në duart e shoqërisë serbe.    

Damir Fazlliçi, klient i privilegjuar i Argita Berishës dhe mik i ngushtë i babait të saj kryeministër, është sekseri i padiskutueshëm mes qeverisë shqiptare dhe afaristëve të ndryshëm që falë këtyre marrëdhënieve arkëtojnë nga Shqipëria një lumë parash publike, në një konflikt të dukshëm e shumë të rëndë interesi mbi të cilin Sali Berisha nuk ka dhënë kurrë llogari.