Ja si do jenë kartëmonedhat e reja shqiptare që do të dalin në qarkullim

12 Shtator 2019, 22:40

TIRANË- Banka e Shqipërisë ka prezantuar ditën e sotme serinë e re të kartëmonedhave të reja.

Në ceremoninë e zhvilluar, guvernatori Gent Sejko tha kartëmonedhat e reja vijnë të rifreskuara dhe me elemente sigurie të përmirësuara duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë.

Prezantimi dhe hedhja në qarkullim e  serisë së re të kartëmonedhave përbën një ngjarje shumë të rëndësishme, një moment të veçantë, jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por për gjithë shtetin shqiptar. Pas më shumë se 20 vitesh, dizenjo e kartëmonedhave të qarkullimit vjen e rifreskuar dhe me elementë sigurie të përmirësuara, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë. 

Seria e re e kartëmonedhës shqiptare gërsheton sigurinë maksimale, pamjen moderne, komunikimin artistik të mesazhit historik dhe rezistencën më të lartë gjatë përdorimit. Ajo është rikonceptuar e plotë me 6 prerje: 200, 500, 1.000, 2.000, 5.000 dhe 10.000 Lekë. Ndërkohë që dy prerjet e para të kësaj serie, ajo 200 Lekë dhe 5000 Lekë - emetime të vitit 2017, janë gati për t’u hedhur në qarkullim më 30 shtator 2019, kartëmonedhat e tjera të serisë do të hidhen në qarkullim në mënyrë graduale gjatë 3-4 viteve të ardhshme dhe do të kenë vlerë ligjore krahas prerjeve ekzistuese.

Kalendar i hedhjes në qarkullim

Kartëmonedha 200 Lekë                  2019

Kartëmonedha 5000 Lekë                2019

Kartëmonedha 1000 Lekë                2020

Kartëmonedha 10000 Lekë              2021

Kartëmonedha 500 Lekë                  2022

Kartëmonedha 2000 Lekë                2022