Ja si dy vlonjatët inskenuan atentatin për të shmangur borxhet financiare

6 Qershor 2019, 10:01

Shtyrja e disa borxheve financiare nga ndërtuesi i pallateve në Vlorë, Arben Veliko, ka bërë që Romarjo Alliaj të bënte një rol filmi, për inskenimin e një ngjarje kriminale, sikur Alliaj të ishte personi i qëlluar me armë. Kjo do ti shërbente më pas Alliaj dhe Velikos që të largoheshin nga Shqipëria dhe të kërkonin azil politik në një nga vendet e Bashkimit Europian. Madje për të mbledhur sa më shumë prova dhe për ta bërë sa më të besueshme edhe tek të huajt, Romarjo del dhe jep një intervistë për televizionet. Kjo intrigë e tipit “Babale” dhe e vënë në jetë në film aksion mes dy vlonjatëve është bërë në datën 12 maj 2019, në autostradën Vlorë-Fier, ku është qëlluar me armë zjarri një automjet, i cili ka dalë nga rruga dhe është përplasur. Automjeti është qëlluar mbi 20 herë dhe gëzhojat janë shpërndarë në një distancë prej 200 metra, por çuditërisht vetë objektivi i këtij “atentati”, Romarjo Alliaj,ka shpëtuar mirë e bukur, pa asnjë gërvishtje. Ndërkohë që makina tip “Golf 5” e marë me qëra prej tij, është dëmtuar shumë nga plumbat dhe përplasja në kanal. I pyetur për ngjarjen, Alliaj ka shpjeguar se rreth orës 17:00 ka qenë i ulur në kafe, te karburant “Kastrati”, në lagjen “Kushtrimi”, së bashku me shokun e tij shtetasin Gjysho Merkaj. Pas rreth 20 minutash është çuar dhe me makinën “Volkswagen Golf 5”, me targë AA 864 SV, të cilën e kishte marrë me qira, është nisur për në Tiranë, ku do të takonte djalin e tezes së tij, shtetasin Florent Veizaj. Gjatë rrugës, në autostradë afër Mifolit, në një distancë rreth 500 m, ka parë që po i afrohej një automjet i markës “BMW” me tavan jashtë, kofano dhe bagazh me ngjyrë të zezë metalizato, ndërsa anash ishte gri e errët, pa targë para dhe kishte parakolp të thyer, xhama të zinj dhe mbrapa kishte targë të verdhë franceze. Prej kësaj makine është qëlluar në drejtim të automjetit të tij nga pas dhe më pas i ka dalë paralel, kohë kur Romarjo është hedhur nga ana e pasagjerit të mjetit të tij dhe makina ka dalë jashtë rruge.