Ja si Jamarbër Malltezi imponoi si shpërblim 3-5% te pronave të privatizuara nga 26 ish-pronaret

22 Shkurt 2021, 19:06 | Përditesimi: 22 Shkurt 2021, 19:56

Këto janë 3 prokurime të marra nga Jamarbër Malltezi, me të cilin një numër i madh i ish-pronarëve i delegojnë atij çdo kompetencë për të përfunduar procedurat e privatizimit. Janë gjithsej 26 ish-pronarë nga 64: në një nga tre prokurat përqindja prej 3-5% të pronave të paluajtshme të rezervuar për Jamarbër Malltezin përcaktohet si '' mbulim i shpenzimeve të përgjithshme '', por në 2 prokura të tjera ajo konsiderohet hapur si '' shpërblim ''. Edhe familja Begeja, pjesë e të cilës është vetë Jamarber Malltezi, u detyrua ta paguaj ''shpërblimin" prej 5%, për të përfituar nga privatizimi në të cilin dhëndri i kryeministrit ishte në pozicionin e dyfishtë të një nga trashëgimtarët, por edhe të përfaqësuesit ligjor të të tjerëve. Një pozicion që i lejon atij të fitojë dhjetëra miliona lekë (të reja) vetëm përmes asaj përqindjeje.

Por pse ky grup prej 26 ish-pronarësh ra dakord të paguanin një bakshish 5%, nëse vërtetë letrat për të marrë të drejtën e tyre mbi tokën ishin plotësisht të ligjshme? Dhe pse 37 ish-pronarët e tjerë kanë shmangur ta kërkojnë mbështetjen tek Jamarber Malltezi? Dhe pse, pavarësisht se kishte marrë "të drejtën e kthimit të pronës" që nga 1996, askush nuk kërkoi kurrë privatizimin e Kompleksit Partizani para se Sali Berisha të kthehej në qeveri në 2005? Dyshimet  rëndojnë mbi të gjithë mbi familjen Begeja emri i së cilës shfaqet në hartat e shpronësimit të vitit 1940 të zbuluara nga Report TV dhe të hartuara nga qeveria e atëhershme fashiste, e cila synonte të ndërtonte zgjerimin e aeroportit të Tiranës pikërisht mbi parcelën prej 28.200 metra katrorë tokë të Begejave, duke ia blerë atë. Si duket nga krahasimi, bëhet fjalë pikërisht për parcelën e kthyer nga shteti falas përmes procedurës së privatizimit të kompleksit sportiv Partizani ne 1996. Dyshimi që u përmend edhe në një kallëzim të paraqitur vitin e kaluar tek SPAK nga Partia Socialiste, është se ''ish-pronarët, pretendues të kësaj prone, kanë qenë kompensuar më parë nga qeveria italiane për këtë pronë dhe rrjedhimisht ata nuk mund të pretendonin kthimin dhe njohjen e një prone që ishte shtetërore tashmë, pasi të gjitha pronat që kanë qenë në pronësi të shtetit italian gjatë pushtimit i kanë kaluar shtetit shqiptar në bazë të një Marrëveshje'' pas luftës.

r.k./Shqiptarja.com