'Jam e kënaqur me 50 viktima', pas gafave Valbona Sako jep dorëheqjen!

1 Dhjetor 2019, 14:17

DURRËS- Një deklaratë (gafë) e bërë në media mbi situatën e tërmetit, se është e kënaqur me 50 viktima është bërë shkak që kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako të japë dorëheqjen. Një ditë pas videos që u bë virale duke ngjallur shumë reagime, Sako ka njoftuar këtë vendim të saj. Ajo thotë se është e lënduar nga reagimi i madh që pato ndaj deklaratës së saj dhe ka marrë këtë vendim nën një stres që i kalon fuqitë e saj.  "E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës.Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve", shkruan Sako.Një ditë më parë në një intervistë për TCH, Sako deklaroi se është e kënaqur me 50 viktima pasi në raste të tjera kanë qenë mbi 1000 viktima. "Ky ishte një tërmet i nivelit shkatërrimtar, por që jemi të kënaqur me 50 viktima, pasi në raste të tjera kanë qenë mbi 1000 viktima", tha Sako.  Ndërsa në një intervistë për ABC News ajo tha se qytetarët po akomodohen në hotele me pesë yje, që në kushte normale nuk do t’i paguanin dot as për pushime.  “Ata që nuk janë sistemuar do të thotë që, zotëria, sot jemi në ditën e katërt nuk ka pasur nevojë për t’u sistemuar. Sot kemi evidentimin e saktë të pjesës së qytetarëve që realisht nuk kanë ku të banojnë. Akomodimi është i organizuar dhe siguruar për të gjithë. Qytetarët paraqiten në bashkinë e Durrësit, krijojmë një lëvizje të organizuar me transport dhe i çojmë në hotele në kushtet më të mira, janë hotele me 5 yje, që në kushte normale zotërinjtë nuk do të mund t’i paguanin për pushime”, u shpreh Sako.