'Jam i sëmurë, duhet të ruhem nga COVID-i'! Dorëhiqet Varfaj/ Emirjana Sako në krye të bashkisë së Durrësit

23 Prill 2020, 15:49

TIRANË- Kryebashkiaku i komanduar Zhuljen Varfaj ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme, e ndërsa në vendin e tij është emëruar Emirjana Sako. Lajmi është konfirmuar për Report Tv nga vetë Varfaj i cili ka bërë me dije se shkak ka qenë gjendja e tij shëndetësore jo e mirë, e cila është ndërlikuar për shkak të COVID-19. Varfaj shprehet se për shkak se është sëmurë, i ka kufizuar daljet nga shtëpi, duke ia bërë të pamundur drejtimin e Bashkisë, në një kohë kur sipas tij duhet të ishte prezent gjithë ditën në ndihmë të qytetarëve. "Puna e koronavirusit e ndërlikoi situatën time, unë jam i sëmure dhe duhet të ruhem. Kisha kufizuar vajtjen në punë, në një kohë që bashkia më do prezent gjithë ditën. Kjo ishte zgjidhja më e mirë, që në krye të bashkisë të ishte dikush që është prezent në punë", tha ai.