Gjykata e Apelit në Durrës ditën e premte ka lënë në fuqi vendimin për masën e arrestit me burg për shefin e sigurisë së burgut në Durrës, Bledar Toçi që akuzohet për vrasjen e Dritan Haxhollit në banesën e Marsida Qatjas, raporton gazetari i Report Tv, Artur Korriku.
Toçi nuk ka qenë i pranishëm në seancë, por është mbrojtur nga avokati që ka kërkuar një masë më të lehtë, pra lirimin nga qelia, sipas tij për dy arsye; e para se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe e dyta sepse klienti i tij e ka kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes. Megjithatë, trupa gjykuese e apelit të Durrësit pasi dëgjoi palët vendosi që të linte në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke e lënë në burg.
Por cfarë ndodhi në mbrëmjen e datës 9 tetor 2019 në banesën e Marsida Qatjas? Bledar Toçi ka shkuar në banesën e Marsidës dhe ka qëndruar së bashku me të, në prani edhe të Xhuljo Biturku, fqinj dhe shokë me Marsida Qatja si dhe Ermir Çelën, shok i saj. Rreth orës 23: 30 tek banesa e Marsida Qatja ka shkuar Dritan Haxholli, i cili ka pasur me vete edhe një armë zjarri automatik dhe me qytën e armës ka goditur dritaren e kuzhinës së banesës së e cila ndodhet në katin e parë të pallatit.
E ndodhur nën presionin e ish-të dashurit të saj, Marsida Qatja ka komunikuar me Haxhollin, duke i thënë që të vinte brenda për t'u sqaruar dhe në vijim ajo ka hapur derën e banesës së saj dhe në këto momente është futur në derë me armë në dorë dhe ka konstatuar se në banesë ndodhej Bledar Toçi. Dritan Haxholli ka qëlluar me armë në drejtim të tij duke plagosur atë ku në këto momente Bledar Toçi ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë që kishte me vete dhe ka shkëmbyer zjarr me Dritan Haxhollin i cili ka mbetur i vdekur në vend.