TIRANE-Partia Socialiste e Shqipërisë ka zyrtarizuar listën me emrat e kandidatëve për bashkitë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Report Tv mëson se Partia Socialiste ka vendosur 59 kandidatë, ndërsa për 2 të tjerë, Peqinin dhe Hasin vendimi është shtyrë deri në mbrëmje pasi ka disa dilema. Në Durrës nuk do të rikandidojë më Vangjush Dako pas 12 vitesh drejtim të qytetit bregdetar, pasi PS-ja ka zgjedhur që të garojë në 30 qershor me Valbona Sakon, e cila mban postin e Drejtoreshës së Tatimeve prej 6 vitesh. Edhe në Dibër do të kandidojë sërish një socialist që ka qenë në drejtimin e institucionit të Tatimeve, Dionis Imeraj.
Emrat u vulosën në mbledhjen e sotme të Kryesisë së socialistëve pas takimit me drejtuesit politikë të cdo qarku. Në përfundim të mbledhjes, kryeministri Edi Rama u shpreh se kandidatët për bashkitë dhe këshilltarët do të prezantohen nesër nga drejtuesit politikë në cdo qark, ndërsa shtoi se tashmë PS-ja është gati për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 30 qershorit.
"Kemi pasur mbledhjen e kryesisë për kandidaturat për 61 bashkitë dhe për të diskutuar për listat përfundimtare për këshillat. Nesër të gjithë të deleguarit do të jenë në qarkun përkatës për të shpallur kandidaturat e miratuara në prani të kandidatëve të grupeve drejtuese të fushatave dhe më pas do të fillojmë fushatën" tha ai. I pyetur për bashkinë e Peqinit, ku ende nuk është vendosur emri i kandidatit, Rama tha se 'Në Peqin kemi vendosur, janë disa detaje të fundit që janë cështje qarqesh dhe nuk ka asnjë problem" u shpreh ai.