Java e kuzhinës italiane në Shqipëri

18 Nëntor 2019, 18:53

TIRANE - "Made in Italy". Ushqime tradicionale italiane u promovuan këtë të hënë Në edicionin e katërt të Javës së Kuzhinës Italiane në botë, një nismë e ndërmarrë në vitin 2016 si rrjedhojë e Expo Milano 2015 nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Ambasadori Alberto Cutillo mbajti këtë pasdite konferencën për shtyp të prezantimit të edicionit IV të Javës së Kuzhinës Italiane. Së bashku me partnerët privatë dhe institucionalë prezantoi temat që do të trajtohen në Shqipëri për të dhënë edhe me këtë rast një kontribut në përforcimin e urave që lidhin historikisht dy brigjet tona të Adriatikut.

Java e kuzhinës italiane ka si synim jo vetëm paraqitjen e produkteve por në radhë të parë qëndrueshmërinë pra bazohet në disa parime që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë, cilësinë me dietën mesdhetare italiane në veçanti. Tema e kësaj jave të katërt është edukimi ushqimor kultura e shijes për këtë arsye kemi menduar të bëjmë bashkë çështje që kanë të bëjnë me shijen por edhe cilësinë e produkteve.”- u shpreh ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo.

Ky event u mbajt në ambientet e Kalasë së Tiranës dhe pritet të zgjasë për tre ditë radhazi ku do t’u lejojë pjesëmarrësve të zbulojnë dhe të përvetësojnë nocione specifike rreth disa verërave të veçanta italiane.

Një kamerier i veçantë ra në sy, teksa i buzëqeshur i servirte të ftuarve verërat më të mira italiane. Ai është me sindromën Dawn dhe ka zgjedhur të shërbejë në këtë event ku mbizotëroi aroma italiane.