'Jemi shokët e djalit', e moshuara në Fushë Milot: Si ma grabitën shtëpinë

20 Nëntor 2019, 09:48

Në orët vona të mbrëmjes së kaluar tre persona janë futur në banesën e Taf Shabanit në Fushë Milot duke grabitur shumën e parave që ndodhej në kasafortë. Shabani është shprehur se shuma që i vodhën është mbi 300 mijë euro. "Morën mbi 300 mijë euro" tha ai.

Në banesë ndodhej e zonja e shtëpisë dhe pasi janë paraqitur si shokë të djalit të tyre që ndodhet në burg në Itali dy prej personave janë ngjitur në katin e dytë të banesës dukë zbërthyer kasafortën me levë ku dhe ndodheshin paratë, ndërsa njëri ka qendruar poshtë. Pasi kanë marrë paratë dhe disa sende me vlerë janë larguar.Sipas zonjës së shtëpisë personat ishin tre dhe nuk i njihte, pasi ka probleme me shikimin. Ata me pas janë larguar dhe është lajmëruar i zoti shtëpisë dhe policia e Kurbinit. Sipas Taf Shabanit vlera e lekeve është shumë e madhe dhe kanë qenë të fshehura në kasafortë.

Autorët duket se jo vetëm që ishin në dijeni të faktit se në banesën e Taf Shabanit kishte para të dërguara nga djali i tyre, por edhe të gjendjes shëndetësore të zonjës së shtëpisë që kishte probleme me shikimin duke përfituar dhe hyrë në momentin që i zoti i shtëpisë nuk ishte i pranishëm.

Sipas burimeve nga policia deri tani janë disa persona të shoqëruar, ndërsa po punohet për të identifikuar dhe arrestuar autorët.