'Jemi shokët e djalit'/ Hajdutët hapin kasafortën dhe marrin paratë te banesa në Fushë Milot

20 Nëntor 2019, 09:57 | Përditesimi i fundit: 2019-11-20 14:18:43

Në orët vona të mbrëmjes së kaluar tre persona janë futur në banesën e Taf Shabanit në Fushë Milot duke grabitur shumën e parave që ndodhej në kasafortë. Shabani është shprehur se shuma që i vodhën është mbi 300 mijë euro. "Morën mbi 300 mijë euro" tha ai.

Në banesë ndodhej e zonja e shtëpisë dhe pasi janë paraqitur si shokë të djalit të tyre që ndodhet në burg në Itali dy prej personave janë ngjitur në katin e dytë të banesës dukë zbërthyer kasafortën me levë ku dhe ndodheshin paratë, ndërsa njëri ka qendruar poshtë. Pasi kanë marrë paratë dhe disa sende me vlerë janë larguar. Sipas zonjës së shtëpisë personat ishin tre dhe nuk i njihte, pasi ka probleme me shikimin. Ata me pas janë larguar dhe është lajmëruar i zoti shtëpisë dhe policia e Kurbinit. Sipas Taf Shabanit vlera e lekeve është shumë e madhe dhe kanë qenë të fshehura në kasafortë.

"Hapën derën dhe thanë ku e ke djalin, më thanë ku e ke futur. Unë thashë, jo nuk kam djalë këtu. Kontrolluan dhomat ku i ka armët djali dhe ku e ka dhomën. Njëra nga dhomat ishte mbyllur dhe tjera çelur. E hapën derën duke e thyer me shkelm dhe morën cfarë gjetën letrat e shtëpisë dhe gjithcka. Nuk e di sa lekë kanë qenë. Lekët e kalamajve që kanë punuar 30 vite në Itali dhe vajzës në Tiranë. U thashë si e gjetët shtëpinë time pa një operativ që erdhën nga Tirana.

Unë nuk shoh mirë, por njëri e hoqi maskën dhe e vendosi prapë. U thashë cfarë jeni diversantë apo? Ishte rreth orës 05:00 pasdite. Burri ishte duke pirë kafe te lokali. Nuk më lanë me lajmëruar burrin. Nuk e di a kishin armë. Vetëm thonin ku e ke djalin dhe ku i ka lënë armët, ata donin lekët dhe jo armët, e kuptova mbrapa. Kur ikën morën cfarë patën dhe më pas lajmërova burrin dhe dola jashtë. Lajmërova burrin ishte duke u dridhur. Pasi lajmëruam policinë erdhi. Djali është në burg, e kapën e futën në burg, nuk e di pse. Djali im (Xhevahir) ka një vit e gjysmë në burg ata thanë e ka braktisur dhe ka ikur" tha e moshuara.

Autorët duket se jo vetëm që ishin në dijeni të faktit se në banesën e Taf Shabanit kishte para të dërguara nga djali i tyre, por edhe të gjendjes shëndetësore të zonjës së shtëpisë që kishte probleme me shikimin duke përfituar dhe hyrë në momentin që i zoti i shtëpisë nuk ishte i pranishëm. Sipas burimeve nga policia deri tani janë disa persona të shoqëruar, ndërsa po punohet për të identifikuar dhe arrestuar autorët.