Jetë përtej vështirësive, futbolli frymëzon të amputuarit në Lezhë! Ëndërrohet kombëtarja

8 Prill 2021, 17:09

Të jesh futbollist, teksa fati ka sjellë të mos kesh gjymtyrët është një sfidë e kapërcyer për këtë sportistë në Lezhë.

“Është shumë e vështirë sepse persona u ka ndryshuar jeta në rradhë të parë. Ata duhet t’i nxjerrësh nga gracka ku kanë rënë dhe kjo nuk është e lehtë. Këtyre personave duhet t’u thuash hajde luajmë futboll ndërkohë që kanë një mijë probleme në shtëpi. Pjesa më e madhe janë pa punë,”-shprehet Julian Çela, i shoqatës "Ekipi Futbollit i të Amputuarve Shqiptarë”.

Tashmë këta sportistë në Lezhë kanë ekipin  e tyre të futbollit duke zhvilluar edhe ndeshjen e parë. Nisma që i ndihmon personat me aftësi të kufizuara të ndyrshojnë mënyrën e jetësës është mirë pritur pavarësisht vështirësive.

“Ne në fakt e patëm shumë të vështirë për t’i evidentuar këta njerëz. Problemi më i madh është se ata mbyllen në vetvete. Një nga arsyet primare përse Juli është marrë me këtë çështje është për t’i nxjerrë nga kjo guackë, për t’i nxjerrë nga shtëpitë. Ai dëshiron t’i thotë se jeta vazhdon, jo vetëm kjo, por keni edhe mese të merreni. Jeta është e bukur gjithsesi,”-deklaron një zyrtar i bashkisë Lezhë.

Në fund qëllimi nuk është vetëm social, por që persona me amputime të krijojnë ekipin kombëtar të futbollit.

“Synimi ynë është që të formojmë edhe disa ekipe të tjera në Shqipëri dhe të bëjmë një kampionat për personat e amputuar. Më tej të formojmë një kombëtare,”-shprehet Julian Çela, i shoqatës "Ekipi Futbollit i të Amputuarve Shqiptarë”.