Jetojnë në terr, s'mund të paguajnë dritat, të moshuarit në Cerrik apel për ndihmë

6 Tetor 2018, 18:13

Këto janë lotët e një burri në moshën 66-vjeç i cili qan me dënesë, pasi i frikësohet rikthimit në burg. Xhevit Qafa thotë se është mbifaturuar nga OSHEE, ndaj borxhi që i detyrohet është i madh dhe ai nuk mund ta shlyej dot. 

Burrë e grua të sëmurë, jetojnë në një ndërtesë, ku ashtu siç duket nga pamjet varfëria është ulur këmbëkryq. Xhaviti thotë se ka bërë burg pasi ka rilidhur energjinë elektrike sa për të parë, ndërsa cështja në ngarkim të tij ende nuk është mbyllur. I moshuari i cili është banor i fshatit Qyrkan në Cërrik është i pashpresë , pasi i druhet burgimit në moshën e pleqërisë.                                           

Ai i lutet shtetit që të mos e dënojnë për një dritë, për të cilën banesa e tij e zymtë ka aq shumë nevojë.

I thashë që unë jam në pikë të hallit. Nuk kam çfarë të bëj më. Kam vënë dritë sa për të ngrënë bukë. 

Xhevit Qafa, denoncues

Edhe bashkëshortja kërkon ndihmë. Ajo ka një lutje nëse do ti rimarrin sërish burrin të mos kursejnë as atë vetë, pasi e vetme nuk mund të jetojë dot.

Unë frikë kam se ma marrin burrin. Të më marrin edhe mua, të rrimë më mirë atje.

Pranvera Qafa, bashkëshortja

Edhe fqinji i çiftit Qafa apelon se për raste në nevojë shteti shqiptar duhet të aplikojë politika të tjera jo agresive.

Çfarë drite ka ky? Këtë vetëm rreze mund ta quash.

Nuri Xibraku, fqinji