Jo e gjithë Evropa hap dyert e shkollave! Miliona nxënës ulen në banka me maska e distancim

14 Shtator 2020, 12:32

Një rikthim në kaos emocional, është dita e parë e mësimit për miliona nxënës në disa shtete të Evropës. Frikë, pasiguri,  mungesë përqafimesh mes nxënësve dhe mësuesve. Kjo është sfida më e fundit e madhe për të gjitha vendet, të cilëve iu deshën disa muaj për tu përshtatur me realitetin e ri. Një pjesë e vendeve të Evropës nuk janë ende gati për të nisur procesin mësimorë.

Në Itali përdorimi i maskës dhe ruajtja e distancimit social është e detyrueshme për fëmijët mbi 6 vjeç dhe çdo nxënës që mungon tri ditë për arsye shëndetësore, duhet të bëjë një test për COVID-19. Nëse ka raste të konfirmuara, shokët e klasës, mësuesit dhe personat me të cilën kanë pasur kontakt mund të futen në karantinë.

Njëjtë si në Itali edhe Portugalia hap dyert për nxënësit. Maskat janë të detyrueshme për fëmijët mbi 11 vjeç, distanca fizike po ashtu.

Krahas Italisë e Portugalisë, mësimi ka nisur më parë edhe në Francë, Spanjë, Gjermani dhe Britani të Madhe.

Në Spanjë, përdorimi i maskave është i detyrueshëm  për fëmijët mbi 6 vjeç dhe duhet të përdoren edhe gjatë transportit. Ndërkohë qëçdo mëngjes nxënësve dhe mësuesve do tu kontrollohet temperatura.

Në Francë, sipas udhëzimeve, të gjithë duhet të mbajnë maska e të respektojnë distancën 1 metër.