Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në takimin me drejtorin për Politikat e Zgjerimit në BE, Christian Danielsson, i ka paraqitur atij një vizion të ri të opozitës, tashmë jo parlamentare. Nuk është më qëllim vetëm rrëzimi i kryeministrit Edi Rama, qeveria teknike dhe zgjedhjet e parakohshme.
Basha tha në një deklaratë për gazetarët pas takimit me zyrtarin e lartë, se duhet shembur i gjithë sistemi. Një vizion i ri që siç tha Basha do të diskutohet jo vetëm brenda opozitës, por edhe me qytetarët dhe me grupet e interesit. Me shembje të sistemit, Basha sqaroi se i referohet ndryshimit të Kushtetutës, dhe një reforme zgjedhore për të shmangur përfshirjen në politike të kriminelëve, edhe pse në SHqipëri tashmë është ligji i dekriminalizimit.
"Opozita sot patin një mundësi për të shprehur vendosmërinë e saj për ti qëndruar kësaj beteje me qytetarët për çlirimin e Shqipërisë nga qeverisja e krimit. Shprehëm vendosmëri që jo thjesht të largohet Rama por të shembet ky sistem. Duhet angazhim i plotë i gjithë faktorit shqiptar politik, por jo vetëm, i çdokujt që i dhimbset ky vend, për të ndërtuar së bashkua një sistem vlerash, që të garantojë drejtësi të pavarur duart e të cilit mos t'i lidhë më Rama, as ndonjë përsëritje e fenomenit Rama me emër dhe mbiemër tjetër. Sot SHISH, media, ekonomia, prokuroria, janë në dorë të një njeriu dhe një grushti klientësh pranë tij. Do jetë pjesë e diskutimit me qytetarët, me grupet e interesit.