Jubileu i Mbretëreshës Elisabet, Berisha nuk ftohet në pritjen britanike në Tiranë! Basha 'kokë me kokë' me Kim, ‘ironia jo diplomatike' e Metës për Ahmetajn: Ky është ‘tigri’

7 Qershor 2022, 22:35

Jubileu i Platintë i madhërisë së saj Mbretëreshës së Britanisë së Madhe Elisabet II është festuar edhe në Tiranë, në një pritje të posaçme të organizuar nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në kryeqytetin shqiptar. E gjithë elita politike e Tiranës ishte e ftuar në nderimin e 70 viteve mbretërim të monarkes më jetëgjatë në historinë e Britanisë, ndërkohë që mungonte vetëm ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili edhe pse e konsideron veten  kryetar të Partisë Demokratike mesazhet e mos pranimit po i merr nga e gjithë bota perëndimore.

Të pranishëm ishin Presidenti Ilir Meta, ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha (një prej daljeve të rralla që pas dorëheqjes së tij) dhe drejtuesi i grupit parlamentar Alibeaj, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, kryetari i grupit të PS Taulant Balla, thuajse e gjithë qeveria, gazetarë, deputetë, diplomatë etj, ndërkohë që nga Komisioni i Rithemelimit shikohet të jetë i ftuar vetëm Ivi Kaso. Ndërkohë që Kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm sepse ndodhet në Ohër të samiti i ‘Ballkanit të Hapur’, teksa ‘në këmbë të tij’ ka qenë i pranishëm i biri Greg Rama. I ftuar ka qenë edhe Presidenti i zgjedhur i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka pasur një shtrëngim duarsh me presidentin aktual Meta.