Justina Aliaj në një rrëfim ndryshe në “Rreze Dielli”: Thjeshtësisë nuk i ikën kurrë moda...

12 Dhjetor 2019, 12:33

Artistja e madhe Justina Aliaj është rikthyer për publikun shqiptar në Festivalin e 11-të të Këngës, një projekt ambicioz që u mbajt në Bunk’art1 për tre net me radhë dhe që riktheu emocionet e festivalit të 47 viteve më parë.

Ishte padyshim surpriza e këtij spektakli, një artiste që i kishte munguar publikut shqiptar dhe që duartrokit gjatë prej artdashësve që kishin tejmbushur skenën.

E ftuar në “Rreze Dielli”, këngëtarja e madhe ka folur rreth prapaskenave të Festivalit të 11 të këngës në vitin 1972, që do e dënonte atë duke vendosur një barrierë mes artistes dhe skenës. Megjithatë, e kthyer pas në kohë, me vështrimin që tregon shumë, Justina ka treguar se mundohet të kujtojë gjërat e bukura të asaj kohe.

Festivali i 11 i vitit 1972 nuk harrohet, me qënien time them se nëse nuk kam nostalgji për të kaluarën, nuk kam as të ardhmen. Mundohem të marr të mirat e saja, kam jetuar, kush është ajo që më theu? Quhem e dënuar. Ka shumë gjëra që e turbulluan atë festival. Nesë do, kur të duash e gjen gabimin. Ne nuk menduam se kemi dicka keq, sepse asnjëri nga artistët nuk kemi pas zili për njëri tjetrin.  Ne ishim stil në vete, nuk mund të më thonin që ti I jep helm publikut. Pika ime e fortë ka qënë që isha vetvetja. Në cdo lloj situate, në cdo lloj takimi nëse je vetvetja, mbetesh i njëjti”, shprehet Justina Aliaj. 

Me qetësinë që e karakterizon në bisedë, edhe pse është një emër i madh që shkruajti një faqe të rëndësishme të historisë së muzikës shqiptare, ajo flet edhe për virtytin që i vihet re në çdo dalje: Thjeshtësinë!