'Ka burra në PS që thonë s'ka gra këtu mer jahu'/ Batuta e Ramës: Me kë hanë darkë këto, me kë i bëjnë fëmijët?

22 Tetor 2019, 20:55

Për kryeministrin Edi Rama, Partia Socialiste është partia më e votuar nga gratë dhe vajzat në Shqipëri. Në takimin që zhvilloi me gratë e këshillave bashkiakë, kreu i qeverisë shprehu bindjen se nëse në Shqipëri do të votonin vetëm gratë, PS do të siguronte 85 mandate deputetësh në Kuvend. Rama zbardhi dhe një pjesë të diskutimeve në mbledhjen e kryesisë së ps, duke zbuluar se një pjesë e anëtarëve të kësaj kryesie kanë shprehur shqetësime sa i përket kësaj kërkese të grave të PS.

"Dje e kemi diskutuar këtë gjë në kryesi dhe ka qenë një diskutim interesant, jo se kishte ndonjë që nuk e pëlqen, përkundrazi, të gjithëve ju pëlqen kjo nisëm, por kuptohet si gjithmonë që  djalli fshihet në detaje dhe mbi të gjitha me të drejtë një pjesë e anëtarëve të kryesisë, shprehën shqetësimin se mos edhe kjo përsëri nuk na çon më tuje se sa një respektim formal i një rregulli që ne përcaktojmë së bashku", tha Rama.

Në këtë takim nuk kanë munguar edhe batutat e kryeministrit Edi Rama.

"Në periferitë e Tiranës që është kryeqyteti i Shqipërisë, bërthama e metropolit të shqiptarëve, situata është alarmante, sepse jo vetëm që ne kemi struktura ku s’ka asnjë grua, por kemi burra që thonë “nuk ka gra këtu ku jemi ne”. Se ku shkojnë këta në darkë, se me kë i bëjnë fëmijët këta dhe se kush kujdeset për ta, kjo mbetet një pikëpyetje shumë e madhe po të shikosh vendosmërinë me të cilën thonë “nuk ka gra këtu”. (...)Janë një pafundësi grash e vajzash që janë të gatshme, por kush do t’ua japë shtysën dhe inspirimin që të përfshihen në organizimin e familjes sonë politike, burrat, ata që thonë “s’ka gra këtu mor jahu”? Ata jo vetëm që nuk ua japin dot shtysën e inspirimin, por ata në distancë, thjesht duke i parë si hije në fund të rrugës, ju krijojnë ndjesinë sa më larg këtyre dhe kanë shumë të drejtë", u shpreh Rama. 

Kërkesën e grave socialiste për përfshirjen në nivele drejtuese, Rama e quajti një hap të konsiderueshëm dhe të guximshëm, duke kërkuar gjithashtu që gratë dhe vajzat të mos përdoren si dekor.

"Nuk është thjesht çështja që kemi një qeveri me një ekuilibër gjinor maksimal, por një pjesë e rëndësishme e detyrave janë mbi supet e grave, një barrë e madhe  e punës së përgjithshme të qeverisë mbahet sot nga ministrat që janë gra. Kur vijnë në nivelin e pushtetit vendor, ne kemi përcaktuar një rregull që, nëse ka një nënkryetar bashkie, duhet të jetë grua në rastin kur kryetar bashkie është burrë. Nëse ka dy, i dyti mund të jetë burrë. Unë nuk ua sugjeroj atyre, unë them edhe i dyti duhet të jetë grua, por unë e di që ata dëgjojnë vetëm nga njëri vesh në këtë aspekt. Jam i kënaqur edhe me plotësimin e kushtit që nënkryetari i  parë duhet të jetë grua. Por nuk është kaq e thjeshtë", tha ai.

Takimi i ditës së sotme, erdhi pas kërkesës së grave të Partisë Socialiste për të pasur një burrë dhe një grua në krye të institucioneve të kësaj partie. Në kërkesën e parashtruar kërkohej ndër të tjera që në zgjedhjet që po bëhen brenda kësaj partie, jo vetëm të rinovohen mandatet, por të ketë edhe një bazë të re përfaqësimi të vajzave e grave në vazhdën e reformës transformuese që PS.

    No videos found.