Kabinat elektrike të tensionit të lartë 'han pa porta' Endacakët i kthejnë në strehë, fëmijët në lojë!

14 Janar 2020, 19:13

TIRANE - Një shqetësim i mbërritur në redaksinë e Report Tv për rrezikun që kabinat e tensionit të lartë pa asnjë farë sigurie sjellin për banorët e kryeqytetit, nxorri në pah se frika e tyre është reale. Nxitur nga ky sinjal, Report Tv kreu një vëzhdim në disa zona të Tiranës, ku vihet re se kabinat elektrike janë kthyer si një han pa porta, e ku kushdo ka lehtësinë për t'u futur brenda, qoftë fëmijë, e qoftë të pastrehë. 

Moskontrolli ka arritur deri aty sa një i pastrehë e ka kthyer kabinën elektrike në shtëpinë e tij, siç e dëshmon edhe këto batanije e jorganë të shndërruara në dyshekë. Një zgjidhje e tillë nga të pastrehët shpesh herë ka përfunduar dhe në tragjedi ku si pasojë e kontaktit me tensionin e lartë këta persona kanë humbur jetën.

Pa asnjë masë sigurie dhe të ekspozuara thuajse në çdo lagje të kryeqytetit këto kabina prej kohësh janë kthyer në një shqetësim dhe rrezik konstant për jetën e qytetarëve pasi gjenden rrëzë pallateve e mes lagjeve të populluara . Mosrespektimi i kushteve bazë të sigurisë dhe është evident në çdo kohë.

Të ekspozuar ndaj këtij rreziku janë edhe fëmijët teksa luajnë në lagjet e tyre, pasi të futesh në brendësi të kabinave është krejtësisht e lehtë.