VORË- Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku ka deklaruar se dokumentet e publikuara nga PD-ja, ku pretendohet se ai ka qenë i arrestuar në Greqi, janë të pavërteta. Ai ka vënë theksin se ka hyrë dhe ka dalë në Greqi, disa herë para se të përzgjidhet si kandidat për Bashki, që vërteton sipas tij faktin se nuk ka qenë kurrë i dënuar, e aq më tepër i arrestuar në Greqi. Për këtë, ai ka publikuar edhe vulat në pasaportën e tij. Sa i përket emrit tjetër, Jorgo Toto, ai ka ripërsëritur që ky ka qenë një emër që ka përdorur në shtetin helen për të punuar dhe një mundësi për të marrë sa më lehtë dokumentet.
"Tellalli i PD u mor me mua prape sot, po ska problem se e verteta vonon po nuk harron. Une paskam urdher arresti ne Greqi dhe hykam e dilkam sa here dua! Ja ku e kam qe kam hyre e kam dale nga Greqia para se te dilte emri kandidat. E verteta ime do vertetohet sic e kam then, po jo nga limoni i shtrydhur i PD po nga autoritetet. Une sjam arrestuar dhe sjam denuar ne Greqi po kam bere pune me emer tjeter si gjithe shqiptaret. Po te isha ne kerkim sdo hyja dhe dilja sipas qefit! Prandaj le te hyje Luli dhe le te dali Gaz Bardhi sa te doje duke i ra fyllit me nje vrime, se rendesi ka e verteta. E verteta eshte me mua dhe une jam me te verteten! Shume shpejt do gjejne nje babale tjeter se babale mua s’me bejne dot", shkruan Kajmaku.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhit, i cili i ka bërë 3 pyetje, sipas së cilit mjaftojnë për të zbuluar të shkuarën e Kajmakut.
"Jorgo Toto i Vorës po tenton t’i bëjë shqiptarët për budallenj. Tregon pasaportën e Agim Kajmakut, në vend që të tregojë pasaportën e Jorgo Totos, emër me të cilin është arrestuar dhe është në kërkim në Greqi. Si Agim Kajmaku ke hyrë dhe mund të hysh prapë në Greqi! Pyetja është, si Jorgo Toto a hyn dot? Jorgo Toto me foton në TIMS dhe me pasaportën nr. Z 0148497 a je ti? Që e vërteta do të dalë, për këtë nuk ka asnjë pikë dyshimi! Që ti do të shkosh në burg, edhe këtë mos e dysho! Të ka gënjyer Edi Rama, kur të ka thënë se do të të mbrojë Arta Marku. Më beso! Nuk të ndihmon dot as ajo", shkruan Bardhi.
Partia Demokratike nxorri këtë të martë detaje të tjera nga dosja greke për një shtetas shqiptar Jorgo Toto, që PD pretendon se është kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Në vendimin e gjykatës së Janinës të vitit 2003 ku kërkohet arrest me burg për Jorgo Toton, është i vendosur edhe numri unik i pasaportës, i cili nga verifikimet që PD ka bërë, i korrespondon Agim Kajmakut, kryebashkiakut të zgjedhur më 30 qershor.