Kalo tregon pamjet e mushkërive të dy të rinjve të prekur nga COVID-i: Bëni kujdes! Ruani higjienën

5 Korrik 2020, 12:04

Shtimi i rasteve me COVID-19, ka bërë që mjeku infeksionist Tritan Kalo t'i drejtojë një thirrje të fortë të gjithë të rinjve, të cilët po preken gjithnjë e më shumë dhe virusi po tregohet mjaft agresiv me ta. Kalo ka publikuar skanerët e mushkërive të dy prej të rinjve, nën 35 vjeç, të cilët janë të shtruar te Spitali Infektiv dhe se gjendja e tyre është e rëndë.

E vetmja mënyrë për të përballuar këtë virus është respektimi i masave, distancës fizike, mbajtja e maskë dhe higjiena personale.

Kalo ka bërë thirrje dhe kritika jo vetëm qytetarëve por edhe institucioneve dhe bizneseve që të mos heqin dorë nga dezinfektimi i ambienteve pasi ashtu siç shprehet dhe ai "Tirana këto kohët e fundit “nuk e ndjen fare” erën e dezinfektimit të rrugëve dhe të mjediseve publike".Kalo bën një përshkrim të hollësishëm të situatës së koronavirusit në Shqipëri, me elementë të veçantë të përditshmërisë së punës në Spitalin Infektiv. Mëngjesi i tij nis duke shkuar në këmbë në QSUT, pasi siç ai thekson ende nuk është hapur transporti publik në kryeqytet, ndërsa e para që e pret është infermierja Anxhi.