Kaloi Vettingun, ONM kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Administratives, Gentian Medja

9 Gusht 2018, 14:22 | Përditesimi i fundit: 2018-08-10 21:51:18

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon sot shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative në Tiranë Gentian Medjan, ndonëse u konfirmua në detyrë nga KPK më 1 gusht.

Rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Medja, ONM-ja ia ka paraqitur sot Komisionerëve Publikë. Komisioneri Publik do ta shqyrtojë rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.
Ky vendim ende nuk është njoftuar.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.