'Kalojnë si të tërbuar'...Kalimtarët në aksin Korçë-Pogradec mes përmes rrugës: Jemi me fat!

20 Gusht 2019, 17:35

KORÇË - Aksi rrugor nacional Korçë-Pogradec është një ndër akset më të rëndësishme në vend, por nuk plotëson standardet e sigurisë duke u bërë burim aksidentesh.

Në mungesë të mbikalimeve dhe nënkalimeve këmbësorët kalojnë rrugën nacionale mes përmes. Ata janë të ndërgjegjshëm për rrezikun që iu kanoset, por nuk kanë zgjedhje tjetër.

"Makinat kalojnë. Jemi me fat.

Shumë aksidente kanë ndodhur. Të frikësuar jemi. Në çdo moment të ditës të rrezikuar jemi. Si ne edhe fëmijët. Fëmijët e përdorin këtë aks sepse kanë shkollën këtu

Çdo sekondë e minutë duhet të kesh vëmendje të madhe. Duhet të kesh shumë-shumë kujdes kur kalon kryqëzimin. Nënkalimet janë më të sigurta sesa mbikalimet, sepse pleq, plaka , të sëmurë, invalid nuk kalojnë në mbikalime se e kanë të vështirë", shprehen qytetarët.

Një tjetër problem në këtë aks janë edhe tregtarë ambulantë në anë të rrugës. Ata shprehen se pavarësisht se cenohet siguria në rrugë dhe vetë jeta e tyre, kjo është e vetmja mënyre mbijetese për ta.

"Hiç fare nuk jam i sigurt.  Për ditë të rrezikuar jemi. Mallin nuk kemi nga ta çojmë. E dalim këtu nga e keqja.

Ndihesh i pasigurtë sepse makinat ecin si të tërbuar. Nuk kam nga të shkoj sepse jam vet i gjashti dhe vetëm me këtë mënyrë  mbijetoj", shprehen fermerët që tregtojnë prodhimet e tyre në anë të rrugës.

Numri i aksidenteve dhe bilanci i jetëve të humbura përgjatë këtij aksi si pasojë e mungesës së kushteve të sigurisë është mjaft i lartë.