Kamëz/ Radikali mysliman s'lejon 3 vajzat të arsimohen, dorëzohet pasi RENEA i rrethoi shtëpinë

3 Qershor 2020, 19:31 | Përditesimi i fundit: 2020-06-03 19:34:40

TIRANE-Do të duhej të paraqitej në gjykatë pasi është nën akuzë për keqtrajtim të miturish sepse nuk lejon prej 1 viti tre vajzat e tij të arsimohen, kundërshton policinë dhe u nxjerr atyre armën duke i kërcënuar. Është kjo historia e Roland Kryemadhit që jeton në Kamzës, i cili me pretendimin e predikimit fetar islam ka penguar vajzat, të veshura me shami, të ndjekin shkollën.

Gjithcka ka nisur në maj 2019 kur shërbimi social Kamëz ndërhyn për të t’i kërkuar familjes që fëmijët e tyre të ndiqnin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Pas kundërshtimit të babait 37-vjeçar, shërbimi social ka njoftuar autoritetet përkatëse. Organi i akuzës e vë menjëherë nën hetim. Më 14 Maj 2019 ndaj tij gjykata caktoi arrest në mungesë dhe pak ditë më pas policia arriti ta vërë nën pranga. Në hetim për pengimin e arsimimit të vajzave me argumentin “ se i shkollon Allahu” është vënë edhe bashkëshortja e tij.

Pas arrestimit 1 vit më parë Kryemadhi ka dalë para gjykatës në 25 Maj 2019 dhe ndaj tij është caktuar masa “arrest në shtëpi”. Por as me këtë masë Kryemadhi nuk bëri hapa pas. Vajzat i ndali të shkollohen dhe i vetmi që frekuentonte mësim sit ë gjithë bashkëmoshatarës është djali i familjes. Por tashmë që është marrë i pandehur, 37-vjeçari duhet të paraqitet në gjykatë, ku mungonte prej janarit 2020, për t’u njohur me vendimin që trupa gjykuese do të vendosë.

Ronald Kryemadhi merr përsëri vëmendjen e policisë në 24 orët e fundit. Të martën e një dite më parë, ai ka refuzuar të paraqitet në gjykatë e kjo e ka detyruar Policinë të ndërhyjë për ta shoqëruar forcërisht. 37-vjecari i është kundërpërgjigjur duke u mbyllur në shtëpi e duke i kërcënuar me armë, të cilën mësohet se ia ka drejtuar dhe fëmijëve të tij.

Kjo detyroi gjykatën ta shtyjë seancën për këtë të mërkurë. Pas ndërhyrjes së repartit elitë RENEA dhe negociatave të gjata, 37-vjeçari është vetëdorëzuar, ku ndër të tjera do të përballet edhe me akuzën e kundërshtimit të forcave të policisë. Për drejtorin e policisë tiranë Rebani Jaupaj në banesën e Kryemadhit është gjetur armatim i rëndë.