Kampionati Ballkanik i Mundjes për të rinj, shkëlqejnë Shqipëria dhe Turqia

5 Nëntor 2018, 20:09

Është mbajtur në Shqipëri nga data 1 në 4 nëntor kampionati ballkanik i moshave në mundje. Në këto gara ku shkëlqyen Turqia dhe Shqipëria, pjesmarrëse ishin edhe shtete të tjera si Maqedonia, Kosova, Greqia, Bullgaria dhe Serbia. 

Në kategorinë 65 kilogramë u shpall fitues 20-vjeçari shqiptar Eriglen Prizreni, i cili mundi në finale me rezultatin 3-4 mundësin Vejseli nga Maqedonia. Pas këtij triumfi, Prizreni për “Report TV” u shpreh shumë i lumtur. Ai deklaroi se falendëron familjen, ndërsa shtoi se përballë maqedonasit një ndihmë ishte edhe publiku në “Asllan Rusi”.

Më ka mbështet ekipi, familjarët e mi, të gjithë shokët dhe falë gjithë shqiptarëve që ishin këtu ia arrita të shpallem kampion ashtu siç iu premtova.

Eriglen Prizreni

Shumë emocione dhuroi finalja e kategorisë 125 kilogramë ku u vunë përballë mundësi shqiptar Paris Karepi dhe bullgari Dralchlev. Përgjatë gjithë ndeshjes Karepi ishte superior, duke e detyruar shpeshherë bullgarin të dilte nga rrethimi i tapetit. Në fund një fitore 8 me 1 me pikë dhe festë legjitime me flamurin shqiptar. Pas triumfit Karepi deklaroi se ishte përgatitur fort për këto gara.

E vlerësova shumë këtë kompeticion sepse zhvillohej në Shqipëria dhe doja të ngrija flamurin këtu. Kisha kundërshtarë të fortë nga të gjithë vendet e ballkanit, por ia arrita të shpallem për herë të dytë kampion.

Mundësi Paris Karepi

Ndërkohë presidenti i federatës së mundjes, Martin Biba, fillimisht vuri theksin te organizimi I këtij kompeticioni në Shqipëri, ndërsa më pas shtoi se e ardhmja e mundjes është në duar të sigurta.

Si fillim u rikthye kampionati ballkanik pas shumë vitesh në Shqipëri. Kjo është hapja me Europën dhe me federatën Botërore. Rikonfirmohen dy kampionët e ballkanit për 20 vjeçar, ç’ka do të thotë se mundja shqiptare është në duar të sigurta për 2 ose 3 vitet në vanzhdim.

Presidenti i federatës së mundjes, Martin Biba

Mundësit shqiptar triumfuan edhe në kategorinë 61 dhe 86 kilogramë, me Marën dhe Çekrezin.