Kampionati mbarëkombëtar i MMA-së, sfida emocionuese dhe me rivalitet të ashpër në 'Feti Borova'

27 Maj 2019, 14:23

Në pallatin e sportit ‘Feti Borova’ Federata Shqiptare e MMA-së ka zhvilluar kampionatin mbarëkombëtar të këtij sporti ku ranë në sy pjesmarrja e shumë ekipeve dhe grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga fëmijët e vegjël e deri tek të rriturit.

Shumë e dyluftuar mbi të tjerat ishte kategoria 65 kilogramë, mes sportistëve Kristi Zeka dhe Kristi Tanushi, me këtë të fundit që fitoi me një diferencë vetëm me 2 pikë.

Kristi Tanushi: “Kam 6 ndeshje dhe shpresoj të shkoj sa më lart.”

Kristi Zeka: “Ishte e vështirë por jam mësuar në këtë sport. Kundërshtari ishte më i miri dhe pak isha i lodhur nga rruga.”

Me performancën më të mirë në oktagon ishte ekipi i Pogradecit, ku përveç meshkujve kishte fitues edhe në kategorinë e femrave. Griselda Torollari ishte fituesja e medaljes në kategorinë 47 kilogramë.

Griselda Torollari: “Është ndeshja ime e parë dhe emocionet bëjnë të vetat. Pasi fitova isha shume e lumtur.”

Me mjaft emocion rezultoi edhe sfida e 17-vjeçarëve, e cila ishte nga të paktat që zgjati me tre raunde. Një garë e ashpër mes sportistëve, që e konfirmoi edhe rezultati, pasi pas çdo raundi pati ndryshime. Në fund fitues rezultoi me pikë Krios Hyseni, i cili ishte tepër i lumtur.

Krios Hyseni: “Kisha përballë një kundërshtar me mjaft eksperiencë, por përgatitja dhe zemra bëjnë këtë që jam këtu.”

Me nokaut teknik në peshat e rënda fitues u shpall sportisti nga Shkodra Ergi Arrtunda.

Ergi Arrtunda: “U mundova me dhënë më të mirën time, ashtu siç më ka mësuar professor Elioni dhe këtë fitore ia dedikoi atij. Gjithçka që ai ka dhënë për mua, oraret e shumta, oraret e vona, oraret ekstra që më ka dedikuar.”