Kampioni i peshëngritjes i harruar nga shteti, deputeti Vullnet Sinaj Do bëj përpjekjet e mia që të përfitojë çfarë meriton

20 Tetor 2019, 15:54

VLORË- Ndonëse se është vetëm 27 vjeç Krenar Shoraj nga fshati Mllkeq i Vlorës ka arritur të fitojë disa medalje dhe të ngre flamurin kuqezi në shumë kampionate botërore dhe evropiane të peshëngritjes. Pasioni i tij për peshëngritjen u pikas që kur ai ishte vetëm 13 vjeç teksa sfidonte të afërmit e tij kush ngrite më shumë pesha si dhe kur u shpall nën-kampion absolut në peshëngritje. Megjithatë, pavarësisht pasionit të tij të madh Krenari pjesën më të madhe të ditës e kalon duke ndihmuar familjen e tij me punët e bujqësisë. Prej vitesh ai garon me ekipin e Teutës ku ndjen se vlerësohet më tepër për aftësitë e tij.

Për të mbështetur vazhdimin e kësaj ëndrre të madhe të Krenarit, deputeti i Vlorës Vullnet Sinaj vizitoi banesën e 27-vjeçarit teksa u shpreh se të tilla vlera duhen ruajtur dhe duhen përkrahur që ai vazhdojë dhe të jetë kampion absolut për të nderuar flamurin kuq e zi dhe vendin ku është rritur.

“U bëra kurioz për të parë se ku Krenari stërvitet dhe çfarë ndihme i ka dhënë bashkia apo qeveria këtij peshëngritësi që kur bën gara në botë, atje ka bërë të ngrihet flamuri kombëtar dhe ashtu siç ka emrin Krenar është një krenari për bashkinë e Selenicën, për bashkinë e Vlorës dhe një krenari kombëtare. Si deputet i zonës ku Krenari jeton do të bëj përpjekjet e mia që të përfitojë të gjitha ato që ligji i ofron një sportisti të tillë dhe njëkohësisht do të flas me kryetarin e bashkisë për të parë mundësinë se si do të nxisim ne si bashki e Selenicës mundësinë që ju të vazhdoni akoma suksesin tua", tha ai.

Në kampionatin botëror në Tailandë, Krenari zuri vendin e 13-të ku arriti të ngrejë 156 kg me shkëputje dhe 198 kg, ndërsa në kampionatin evropian në San Marino zuri vend të dytë, duke u shpallur nën-kampion . Po pavarësisht pasionit të madh për këtë sport Krenari ka një thirrje për Federatën e Peshëngritjes për t'i kushtuar atij dhe çdo sportisti vëmendje e duhur.

Vëmendje unë kam patur vetëm nga klubi ku jam tani i regjistruar sepse jam me klubin e Teutës, ata po kanë dhënë një mbështetje maksimale, kurse nga federate dhe shteti nuk po marrim mundin dhe djersën që na takon. Normalisht neve na takon të marrim trajtimet ushqimore që i kemi të shkruara dhe me ligj, të marrim ato dhe jemi në rregul", tha Krenari.

Kjo nuk është hera e parë që sportistët shqiptarë, të cilët arrijnë rezultate të larta, kërkojnë mbështetje nga Federatat për kushtet në të cilat stërviten.