'Kanabisi, një betejë nga qielli dhe toka' - Report Tv pamje ekskluzive nga monitorimi i Guardia di Finanza

8 Nëntor 2019, 17:33

TIRANE - Lufta kundër kanabisit në Shqipëri vazhdon. Pas pakësimit drastik të bimëve të identifikuara vitin e kaluar nga "Guardia di Financa", duket se kultivuesit kanë ndryshuar strategji. Edhe pse nuk dihen ende shifrat zyrtare, pamjet e siguruara nga ajri tregojnë se synohet gjithmonë e më shumë drejt zonave të fshehta malore, larg qendrave të populluara, për t’iu shmangur sa më shumë operacioneve të policisë në terren, operacione të cilat janë bërë gjithmonë e më agresive. Edhe pse autoritetet shqiptare e kundërshtojnë, burime të ndryshme pretendojnë se trafiku i kanabisit ka ndryshuar drejtim, duke u spostuar nga Italia në drejtim të Turqisë. 

Por ajo çka bie në sy është se ndërhyrja e policisë në terren vjet ka qenë më efikase se sa vetë identifikimi i Guardia di Finanza përmes monitorimit ajror. Kështu po t'i referohemi vitit 2018, policia asgjësoi 35.000 kubike dhe fidanë kanabis, kundrejt 686 të identifikuara nga Guardia di Finanza.

Pikërisht për këtë, tani beteja e madhe kundër drogës në Shqipëri bëhet kryesisht nga qielli.

Report TV është televizioni i parë shqiptar që pati akses për një ditë të tërë në bordin e avionit të Guardia di Finanza-s, i cili, që nga muaji prill, fluturon mbi vend duke kërkuar parcela të mbjella me kanabis. Në këtë mënyrë, patëm mundësinë që të zbulojmë truket që përdorin trafikantët për të fshehur parcelat e tyre, por edhe të njihemi me punën shkencore të Guardia di Finanza-s italiane e të Policisë shqiptare, të cilat, së bashku identifikojnë dhe më pas çrrënjosin bimët e mbjella.

Udhëtimi ynë nis në një kënd të rezervuar në aeroportin e Rinasit, ku avioni i vogël “Piaggio” i Guardia di Finanza-s bëhet gati të ngrihet.

Avioni është i pajisur me dy telekamera speciale, të cilat filmojnë terrenin dhe analizojnë sipërfaqen, nga këndvështrimi fotografik, por edhe nga një këndvështrim hiper–spektral, pra duke arritur të dallojë përmes reflektimit të dritës bimët e mbjella të kanabisit. Në bordin e avionit janë tre pilotë të Guardia di Finanza-s dhe një teknik i tyre, i specializuar në mbledhjen e të dhënave. Ata janë një pjesë e Njësisë së kufirit detar të Guardia di Finanza-s, që shërbejnë në mënyrë të vazhdueshme në Durrës, nën komandën e kolonelit Stefano Leccia. Leccia është një oficer i Guardia di Finanza-s me përvojë të gjatë në lufën kundër trafiqeve të drogës dhe kriminalitetit të organizuar, të zhvilluar në rajonet më të nxehta të Italisë, si Pulja, Sicilia, Kalabria.

Para nisjes, bëhet një brifing i shkurtër në pistë

Synimi i misionit është të kalohet në skaner territori, në kërkim të bimëve të mbjella të kanabisit. Deri pak vite më parë, droga mbillej në fushë, madje edhe në qendrat e banuara, ndërsa tani trafikantët, për t’iu shmangur kontrolleve të Policisë, janë detyruar të fshihen në male, siç pohon një teknik i Guardia di Finanza-s.