Kandidatja e LSI përfshihet në konflikt në Durrës, shoqërohet nga policia! Guri: Bëra Kallëzim! PS ka vendosur kamera në zyrën e LSI!

24 Mars 2021, 21:47

Kandidatja e LSI, e para në listën e Durrësit, Elona Guri, është shoqëruar nga policia pasi është përfshirë në një konflikt me një banor në lagjen nr.4, në qytetin bregdetar. Sipas policisë pasi Guri është konfliktuar me banorin me iniciale Ç.K, të dy janë shoqëruar në polici.

"Më datë 24.03.2021, rreth orës  14:30, në lagjen nr.4, Durrës, shtetasja E.G., është konfliktuar me shtetasin Ç.K. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilët kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të dyja palët në konflikt për veprime të mëtjeshme", thote policia.

Lidhur me këtë incident ka reaguar vetë Guri, e cila thotë se ka shkuar në polici për të bërë kallëzim pasi sipas saj PS ka vendosur kamera në zyrën e LSI, për të identifikuar dhe kërcënuar njerëzit që i bashkohen partisë. 

"Denoncoj një akt të paprecedentë që nuk ka ndodhur në 30 vite. Votoni në 25 alternativën më të mirë atë që besoni qytetarine e bërjes së fushatës. Kam bërë sot një kallëzim në policinë e shtetit, i bëj thirrje prokurorisë të mos fshehë provat dhe të vazhdojë të bëjë drejtësi".

Burime nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se pajisjet për të cilat flet LSI janë pajisje interneti dhe jo përgjimi. Nga ana tjetër dega e LSI në Durrës deklaron se kanë zbuluar kamera përgjimi që monitoronin e përgjonin zyrën e kësaj force. LSI akuzon policinë për fshehje të së vërtetës dhe deklaron se ka denoncuar djalin e Lefter Kokës, Arbër Kokën si autor, që fshihet pas kësaj ngjarjeje. Ndërkaq LSI akuzon Arbër Kokën për presion ndaj qytetarëve që shkonin në zyrat e partisë. Sipas LSI, dyshimi për përgjim lindi pasi të gjithë qytetarët e thjeshtë që shkonin në këtë zyrë kontaktoheshin dhe kërcënoheshin.