Kaos në Libi, trupat e Haftarit pushtojnë Sirte, pezullohet misioni i BE

7 Janar 2020, 13:55

Forcat e gjeneralit Khalifa Haftar, sipas ‘Al Arabiya’, kanë hyrë në qytetin Sirte duke larguar milicët që mbështesin ekzekutivin e Kryeministrit Fayez al-Sarraj.

“Milicët e qeverisë me janë tërhequr nga Sirte dhe ushtria e Khalifa Haftar ka hyrë në Sirte”, -  shkruan transmetuesi i lajmeve al-Hadath i grupit Al-Arabiya duke cituar korrespondentin e tij.

Qeveria e Marrëveshjes Kombëtare të Libisë i kërkoi Brukselit të mos dërgojë delegacionin e tij në Tripoli për të gjetur ndërmjetësim politik për krizën e luftës, duke eleminuar në mënyrë efektive përpjekjen europiane.

Misioni i drejtuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, bashkë me ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë duhej të kishin mbërritur sot në kryeqytetin Libian, por "çështjet e sigurisë" e kanë bërë udhëtimin të ndërlikuar dhe të rrezikshëm.

Në fakt, burimet vendase sqarojnë se kryeministri libian Fayez al Sarraj dëshiron vetëm të çojë përpara marrëveshjen midis Tripolit dhe Ankarasë me mbështetjen ushtarake të Turqisë, trupat e së cilës dje janë vendosur në territorin libian.

Në Libi forcat e gjeneralit Khalifa Haftar hynë në qytetin bregdetar të Sirte, deri më tani në duart e Qeverisë së Fayez al-Serraj.

Përparimi i trupave përkon me ardhjen në Libi të grupit të parë të ushtarëve turq të dërguar nga Ankaraja me qëllim mbështetjen e qeverisë Serraj, e njohur nga Kombet e Bashkuara.

Ndërsa në terren tensioni rritet nga orë në orë në pritje të funeralit të mbi 40 viktimave të sulmit ajror kundër akademisë ushtarake në periferi të Tripolit.