Kapen 613 kg kanabis në Godull të Lezhës, dy të arrestuar

12 Mars 2020, 09:53 | Përditesimi i fundit: 2020-03-12 12:52:52

Një operacion i koduar "Godull" vuri në pranga 2 persona të cilët akuzohen për tentativë të trafikut të drogës dhe armëmbajtje pa leje. 

Dy të arrestuarit 60 dhe 28 vjeç ishin gati  për ta trafikuar lëndën narkotike, 613 kg kanabis, në Godull të Kurbinit . Policia bëri kontroll në një ambient në pronësi të Safer Zelës 60 vjeç lindur në Durrës dhe banues në Kurbin ku u gjet droga, ndërsa u sekuestrua edhe një gomone në pronësi të tij.Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së 60-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë gjahu dhe 13 fishekë. Ai akuzohet se në bashkëpunim me 28-vjeçarin me inicialet R.S, banues në Thumanë do  trafikonin lëndën  narkotike.

Policia thotë se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Të arrestuarit do të hetohen nga prokuroria e Kurbinit për veprat  penale “Trafikim i  narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë".

Operacioni antidrogë u zhvillua nga Drejtoria e Policisë Kufitare Durrës, në bashkëpunim me policinë e Lezhës dhe Kurbinit.