Kapen grabitësit e postës në Krujë, u gjenden një pjesë e lekëve dhe armë, zbulohet koka e grupit, i tradhtuan shenjat e gishtave (EMRAT)

7 Nëntor 2019, 15:03

Prokuroria e Krujës ka zbardhur grabitjes e postës. Tre ditë pas grabitjes policia ka arrestuar gjashtë persona. Të arrestuar si autorë janë; Mark Caka, Gazmir Saka, Hysen Kica, Bujar Tafa dhe Andi Rexhepi (Paturri), ndërsa roja Besnik Parruca i prangosur pas grabitjes akuzohet për shpërdorim detyre.

Hajdutët mëngjesin e së hënës duke përfituar edhe nga fakti i 'çuditshëm' i ikjes së dritave në Krujë arritën të grabisnin postën. Gjatë kontrollit të banesave dhe makinave që lëviznin është sekuestruar një sasi lekësh që u grabitën, makina të vjedhura, një pistoletë dhe sende të tjera, që i përdornin për hapjen e kasafortave. Dëshmitë dhe gjurmët e gishtave kanë sjellë zbulimin e autorëve që solli më pas prangosjen, raporton gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno.

Ata fillimisht janë shoqëruar duke u kërkuar informacion se ku ndodheshin natën e grabitjes dhe shpjegime për lekët e gjetura në makinë dhe armët, ndërsa janë 'gozhduar' nga gjurmët e gishtave që u janë gjetur. Operacioni është në vijim dhe mund të ketë edhe persona të tjerë të arrestuar. Personat e arrestuar janë të skeduar si kontigjent kriminal, në vjedhje apo kultivim kanabisi.