Kapet grupi i kokainës në Itali, në pranga edhe 7 shqiptarë dhe një grua: Krenarë për drogën që shesim

4 Qershor 2019, 18:33

Një mega-operacion antidrogë i koduar 'Postalmarket' është zhvilluar në Breshia të Italisë ku janë shoqëruar 17 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Nga të shoqëruarit 12 persona janë shpallur fajtorë dhe janë arrestuar ku mesa tyre kanë qënë 8 shqiptarë ndërsa 4 të tjerët janë italianë.

Policia italiane e ka konsideruar grupin si një organizatë e strukturuar kriminale ndërsa po punon për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal të trafikut të drogës.  

Mes 8 shqiptarëve e arrestuar është edhe një grua, ndërsa janë zbardhur edhe disa prej emrave të tyre.  1. Amarildo Gjepali, 2. Klajdi Vrioni, 3. Amarildo Katundi, 4. Valter Gjepali, 5. Mehmet E., 6. Franc Gjepali, dhe 7. Nelda Tartari.

Nga ky operacion të arrestuarve u janë kapur 400 gram kokainë, 50 gram hashash, 400 gram marihuanë, si dhe kristale MDMA dhe tableta ekstazie. Por përveç kësaj ata akuzohen se kanë bërë 1500 furnizime me kokainë të pastër e hashash kryesisht nga Shqipëria në Itali.Hetimi për shkatërrimin e këtij grupi kriminal ka nisur në fund të vitit 2017 ku u sekuestruan disa barna sintetike. Sipas mediave italiane droga vinte nga Shqipëria dhe më pas u shpërndante në provincat e Trentos në Val di Non dhe Breshia.

Por si funksiononte grupi?

Të gjitha lëvizje kontrolloheshin nga një 34-vjeçar shqiptar me inicialet G.V, për të cilin policia ende nuk ka publikuar informacione. Menjëherë më pas, në rend hierarkik të grupit vinin dy nëngrupe, një që vepronte  në Val di Non dhe tjetri në zonën e Breshias. Grupi në Breshia ishte më i nënshtruar dhe merrej me shitjen e drograve sintetike. Ndërsa grupi i Val di Non shitnin kryesisht kokainë në Bolzano duke përdorur mbështetjen e bashkatdhetarëve shqiptarë.

Grupi komunikonte me kode dhe paratë i merrnin në një takim të dytë. Droga që shpërndanin në treg ishte e një cilësie tepër të lartë dhe për këtë arsye, shitej me një çmim madh: 100 euro për një gram kokainë dhe ndodhe rrallë për ndonjë zbritje minimale, vetëm në rastin e blerjeve më të mëdha. Sipas mediave italiane grupi ishte krenar për cilësinë e drogës që shiste, gjë që e dinin shumë persona në zonën ku vepronin.