Kapet sasi e madhe droge në Kapshticës, ishte ngarkuar në dy kamionë, arrestohen shoferët

13 Shkurt 2019, 22:25 | Përditesimi i fundit: 2019-02-13 22:31:14

KORÇË - Sekuestrohet një sasi e madhe droge e llojit kanabis në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, e ngarkuar në dy kamionë që kishin për destinacion Greqinë. Lënda narkotike është gjetur mbrëmjen e sotme gjatë kontrolleve të imtësishme në doganë. Në dy kamionët ndodhej një ngarkesë me krunde dhe mes tyre ishin fshehur thasë me kanabis. Ende nuk dihet sasia e lëndës narkotike të sekuestruar, ndërkohë që vijon peshimi i saj në komisariatin e Policisë së Korçës. Policia ka arrestuar dy drejtuesit e kamionëve, Zija Hidri dhe Ardian Sako. 

Report Tv mëson se policia kishte informacion më herët për një ngarkesë të konsiderueshme që po planifikohej të trafikohej nga Shqipëria drejt Greqisë. Kamionët janë mbajtur në vëzhgim prej disa ditësh nga njësia antidrogë e Policisë së Shtetit dhe pasditen e sotme janë ndjekur deri në Kapshticë, ku edhe i janë nënshtruar kontrolleve. Dyshohet se pas tentativës për të trafikuar lëndën narkotike drejt Greqisë fshihet një grup i fuqishëm kriminal. Report Tv mëson gjithashtu se pritet që në orët e ardhshme të ketë disa arrestime.