Kazakistan/ Shkon në 15 bilanci i viktimave pas rrëzimit të avionit, 66 të tjerë të plagosur

27 Dhjetor 2019, 09:00

Një aksident ajror ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premte në Kazakistan, ku një avion me 100 persona në bord është rrëzuar menjëherë pas ngritjes në fluturim, në afërsi të aeroportit e Almaty.   

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 07:22, me orën lokale. Zyrtarë të aeroportit shprehen se avioni  “Bek Air” humbi lartësinë duke goditur një pengesë betoni dhe më pas u rrëzua mbi një ndërtesë dykatëshe.

Personeli i shërbimit të urgjencës ka shkuar menjëherë në vendngjarje për t’iu ardhur në ndihmë të mbijetuarve. Mësohet se, deri më tani ka arritur në 15 bilanci i viktimave, ndërsa 66 persona të plagosur janë transportuar drejt spitalit.

Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se avioni me 95 pasagjerë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit në bord kishte si destinacion kryeqytetin e vendit, Nursultan.

Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet e përplasjes.