Këndi i Ekspertit/ 7000 dosjet e kthyera nga ATP, si duhet të veprojnë ish-pronarët

20 Mars 2019, 11:22

Në emisionin e mirënjohur të Report TV, “Këndi i Ekspertit”, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka sqaruar rastin e 7.000 dosjeve të ish-pronarëve, që janë kthyer nga Agjencia e Trajtimit të Pronave drejt Gjykatës Administrative. Begaj ka sqaruar fillimisht se përse u mor vendimi i kthimit të 7.000 dosjeve dhe më pas ka orientuar ish-pronarët se çfarë duhet të bëjnë pas këtij vendimi. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët.

Sot do të flasim për 7.000 dosjet e ish-pronarëve, që janë kthyer nga Agjencia e Trajtimit të Pronave drejt Gjykatës Administrative.

Përse u mor vendimi i kthimit të 7.000 dosjeve?

Kjo është një temë shumë e nxehtë dhe e prekshme, pasi kemi të bëjmë me një numër të konsiderueshëm dosjesh, 7.000 të tilla. Nuk janë pak. Këto doje kanë qenë për t’u trajtuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, por tashmë, që nga data 23 shkurt, që kemi të bëjmë me përfundimin e Ligjit nr. 131, të vitit 2015, i cili u ndërmor në atë kohë dhe u la një afat 3-vjeçar për përfundimin e këtyre dosjeve. Ky është efekti i ligjit që mbyllet. Vetë ligji mbyllet në këtë afat.