Keni gabime në të dhënat personale? Lleshaj: Tani mund t’i korrigjoni më shpejt dhe më lehtë

31 Tetor 2019, 14:39

Ministri Lleshaj, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm Plarent Ndreca dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, zhvilloi një interpelancë me një grup qytetarësh, të interesuar për çështjet, që kanë të bëjnë me korrigjimin e të dhënave të gjendjes civile të hedhura gabim në sistem gjatë transkriptimit.

Interesi kryesor i qytetarëve kishte të bënte me afatet dhe procedurat e korrigjimit të “gabimeve materiale” siç emërtohen, problem për të cilat Ministri Lleshaj ka nxjerrë një urdhër në gusht 2019, i cili përshpejton afatet dhe thjeshton procedurat e GJC për saktësimin e të dhënave dhe njëherësh lehtëson barrën e qytetarëve për të siguruar dokumente që provojnë identitetin e tyre real.

Deri më sot Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes Civile ishte i vetmi autoritet që mund të merrte vendime mbi këto problematika. Tashmë sipas urdhrit, një pjesë e vendimmarrjes bëhet në zyrat lokale, nga punonjësit e çdo zyre të gjendjes civile, sipas një procedure strikte dhe transparente, duke eliminuar çdo mundësi abuzimi të çfarëdo natyre.

Qytetarët që kanë pasur probleme në marrjen e dokumenteve biometrike, për shkak të “gabimeve materiale” të tilla si emër, mbiemër, datëlindje, etj., tashmë kanë mundësi të bëjnë korrigjimet në një kohë shumë më të shpejtë dhe me procedura mjaft të thjeshtuara.

Ky komunikim u zhvillua në formën e një interpelance nëpërmjet ekranit ku qytetarët parashtronin pyetjet konkrete, ndërsa përgjigjet jepeshin sipas rastit nga Ministri Lleshaj apo Drejtori i Gjendjes Civile Doracaj.