Kërcënimet e Iranit, SHISH dhe Anti-Terrori 'blindojnë' kufirin! U hiqet leja e qëndrimit dy irakianëve

21 Janar 2020, 23:00

Kërcënimet e fundit të ardhura nga qeveria e Iranit në drejtim të Shqipërisë, kanë vënë në gatishmëri të plotë Shërbimet e Inteligjencës në vendin tonë.  Oficerë të Shërbimit Informativ Shtetëror, por edhe strukturat e anti-terrorit pranë Policisë së Shtetit, prej ditëve të para të janarit 2020 janë vënë në gjendje alerti, me qëllim zbulimin dhe parandalimin e çdo rasti të mundshëm të veprimeve kriminale ndaj rendit dhe qytetarëve shqiptarë nga forca të jashtme, kryesisht nga element të ardhur nga lindja e mesme.

Nisur nga kjo gjendje janë marrë mjaft masa që në pikat kufitare, ku vizitorët e huaj që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme në Shqipëri, i nënshtrohen procedurave dhe rregullave të imtësishme, ku intervistohen dhe u fiksohen shenjat e gishtave. Në monitorimin e kësaj situate, agjencitë ligjzbatuese janë duke mbajtur një bashkëpunim të ndërsjelltë me shërbimet e huaja të Inteligjencës.