Këshilli Bashkiak, Veliaj: Opozita iku, la pa votuar ndihma të rëndësishme sociale

27 Shtator 2018, 19:36

TIRANË -  Përfaqësuesit e opozitës kanë braktisur sërish mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke mos votuar për të disatën herë vendime të rëndësishme, si ajo për dhënien e ndihmës ekonomike për familjet me pamundësi ekonomike; kompensimin e energjisë elektrike për kategoritë, etj. Opozita u largua në momentin e votimit të rendit të ditës duke bërë që këto nisma sociale të miratohen vetëm nga votat e përfaqësuesve të maxhorancës. 

Një ndër to është edhe ngritja e qendrës sociale “Strehëza Tiranë si dhe ngritjen e Qendrës Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, e cila është ideuar për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të Njësive Administrative Nr. 4 dhe Nr. 8, nëpërmjet të cilës do të përfitojnë direkt 170 familje, 200 fëmijë dhe 80 të rinj

Njësia 8 i ka dhënë mandatin e kaluar edhe për kryetar, edhe për nënkryetar të Bashkisë, Lulit dhe Joridës. Por, prona te Medreseja, ku sot ka zyrat UKT-ja, në fakt në versionin e vet origjinal ka qenë shkollë. Saliu, ngaqë i falimentoi të gjitha kompanitë, filloi t’i degdiste nëpër bashki dhe Bashkia i çoi zyrat e UKT-së në një shkollë, te Medreseja për njësinë 8. Ne sot duam të marrim vendimin për ta çuar UKT-në te inkubatori i biznesit dhe të lirojmë një shkollë për Njësinë 8. Kush është oligark, kalamajtë e Njësisë 8? Si do shkojë Luli dhe Jorida te Njësia 8 e t’u thonë banorëve: Mirë, kur ishim kryetar dhe nënkryetar të bashkisë s’bëmë asnjë punë, por tani s’duam ta votojmë këtë vendim, që t’u kthejmë shkollën fëmijëve tuaj? Unë ju garantoj për një gjë: Në qershor, jo vetëm do fitojmë bindshëm bashkinë, por do kemi shumicë absolute për të vendosur për qytetin e Tiranës sepse njerëzit i pane kush janë këta. Për një çikë “shoë” janë gati të përshtyjnë gjithçka. Ka një problem, po përshtyve shumë lart të bie fytyrë. Nuk mund të pështyhet gjithçka, sidomos punë që janë nisur dhe s’po bitiseshin në mandatin e tyre.

Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës

Përveç, nismave sociale, një projektligj tjetër për t'u miratuar ishte edhe terminali i ri i autobusëve që sipas përfaqësuesve të opozitës ishte shumë i dyshimtë.

Akuzave të tyre, Veliaj u përgjigj duke u shprehur se oferë korruptive ishte ajo e ish-kryebashkiakut Basha, i cili në vend të terminalit kishte vendosur një kompleks pallatesh dhe një terminal të vogël.

Gjatë prezencës së tyre në mbledhje, deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho ngriti ankesën se Këshilli Bashkiak është anashkaluar totalisht për të diskutuar mbi çështjen e Teatrit.

Jemi anashkaluar totalisht në çështjen e Teatrit, Veliaj ka anashkaluar  diskutimin paraprak siç edhe e parashikonte ligji. Anashkalimi i këtij diskutimi për një çëshjte aq sensitive do të thotë që na janë hequr totalisht të drejtat. Jemi në një situatë anti-kushtetuese. Na janë dhunuar kompetencat. Jepen koncesione që nuk dihet se si do të operohet. Është shumë shqetësuese. 

Erisa Xhixho, këshilltare e LSI

Akuzave të Xhixhos, Veliaj iu përgjigj se Këshilli Bashkiak nuk u mblodh as për privatizimin e Teatrit "Metropol" dhe se një mbledhje e tillë nuk kishte kuptim pasi toka i përkiste Ministrisë së Kulturës.

Do të humbasin mundësinë për të votuar projektligje të rëndësishme për qytetarët e Tiranës. Ligji i Lulit kërkon biletën për fëmijët. Ata prandaj ikin se nuk duan që ta dëgjojnë të vërtetën. Partia e Lulit hoqi fëmijët 0-6 vjeç. Thonë pse nuk u mblodh Këshilli Bashkiak për çështjen e Teatrit, kur toka i përket Ministrisë së Kulturës. E kuptoni apo jo? A u mblodh këshilli për Teatrin e Metropolit? Prandaj ikin se kanë shumë siklet.