13 hotele, resorte dhe struktura të tjera akomoduese me fokus turizmin do të ndërtohen përgjatë bregdetit shqiptar. Lejet e ndërtimit janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në mbledhjen e 17 marsit, ku përfshihet dhënia e aprovimit për të ndërtuar 7 resorte e hotele në Himarë, 2 në Palasë ndërsa pjesa tjetër do ndërtohet në Dhërmi, Durrës dhe Lezhë. Po ashtu Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar edhe rikonstruksionin e një Bujtine me vendndodhje në Bashkinë Tropojë, si dhe ndërtimin e një bujtine tjetër në Gjilekë të Vlorës.
Në mbledhjen e javës së kaluar KKT ka miratuar në total 47 vendime, ku përveç hoteleve dhe strukturave të tjera akomoduese, janë aprovuar lejet e ndërtimit për “Restaurimin, rikonstruksionin dhe rehabilitimi i hapësirave në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura” si dhe “Restaurimin, rikonstruksionin dhe rinovim të Sallës së Koncerteve në Universitetin e Arteve në Tiranë”, të dyja me zhvillues Ministrinë e Kulturë.
Sa i takon infrastrukturës rrugore me rëndësi janë “Ndërhyrjet në infrastrukturë në “Syrin e Kaltër”, në Bashkinë Finiq”, me zhvillues Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Ky destinacion turistik preh vitesh ka pasur probleme me infrastrukturën por mesa duket këtë sezon veror do të jetë më lehtë i aksesueshëm.
Po ashtu është miratuar edhe vendimi për ndërtimin e rrugës Porto-Romano Loti 3 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ky vendim pas disa dështimesh në tenderat e hapura për këtë objekt. Leje ndërtimi janë dhënë edhe për Bashkinë e Tiranës, për ndërtimin e tre shkollave. Pjesë e vendimeve kanë qenë edhe projektet energjetike, ku është aprovuar nisja e testimeve në Shpirag 4, si dhe ndërtimi i dy parqeve fotovolatike në Fier.